Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ministri grek i Financave, Giorgos Papakonstantinou, sipas të cilit, Greqisë i nevojitet deri më 19 maj një ndihmë financiare prej miliardash. “Ndryshe vendi praktikisht mund të bëhet i paaftë për të paguar”, u shpreh Papakonstantinou para parlamentit grek. Sipas tij, deri më 19 maj detyrimi që duhet paguar arrin në lartësinë e nëntë miliardë eurove. Nga paketa ndihmë e Bashkimit Evropian, e cila kap vlerën prej 30 miliardë eurosh në total, vetëm Gjermania duhet të japë 8, 4 miliardë euro, ndërsa 15 miliardë euro të tjera do t’i japë Fondi Monetar Ndërkombëtar.