Greqi | Mbështetje për sulmet kundër Gheddafit por jo pjesëmarrje e drejtpërdrejtë

alt

Qeveria e Athinës ka vendosur që forcat greke të mos marrin pjesë drejtpërdrejt në bombardime, por të mbështesin me të gjitha mjetet sulmin e forcave të NATO-s dhe të jenë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të Aleancës. Greqia ka në dispozicion një radar fluturues që do monitorojë trekëndëshin Kretë-Sicili-Tripoli, 2 helikopterë super Puma dhe një fregatë që do patrullojë ujërat e Mesdheut midis Kretës dhe Libisë. Ka informacione se 4 avionë F-16 mund të përdoren për të monitoruar hapësirën ajrore libiane. Bazat ushtarake do të ofrojnë mbështetje teknike, furnizimin me karburant të avionëve dhe mundësinë për uljen e ngritjen e tyre. Pritet që të mbërrijë në bazën e Sudës një nëndetëse bërthamore, ndërkohë që edhe Franca do ta përdorë këtë bazë për avionët e saj luftarakë. Ndërkohë 8 avionë luftarake belgë, që ndodheshin në Greqi për një stërvitje ushtarake, janë instaluar në bazën e Araksos, dhe qëndrojnë në gatishmëri. Në bazën e Aktios, NATO do të vendosë radarët e saj. Pas përfundimit të konsultimeve që u zhvilluan në Paris, ku u vendos ndërhyrja ushtarake në Libi, kryeministri grek Papandreu tha se “takimi tregoi vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për zbatimin e rezolutave të OKB-së, në veçanti natyrisht për të mbrojtur jetën e njeriut në Libi. “Për fat të keq, pavarësisht nga garancitë që dha se do zbatonte vendimet e OKB-së për armëpushim, Gadafi i vazhdoi aktet e dhunës, ndaj bashkësia ndërkombëtare ndërmori këtë vendim” tha kryeministri grek.

Advertisement