Mbrëmë u ra dakord për të gjitha pikat e programit me përjashtim të kërkesës për ulje të pensioneve suplementare, çështje e cila u negociua sërish sot dhe u gjet mënyra sesi do të sigurohen 300 milion Euro kursime. Udhëheqësit grekë kanë miratuar ndryshime dramatike në tregun e punës, masa që do t’ua vështirësojnë mjaft jetën qytetarëve grekë, por ekziston shqetësimi, se nëse këto masa nuk funksionojnë, Trojka do kërkojë ndërhyrje të tjera deri në fund të vitit. Eshtë rënë dakort për të arritur kursime me vlerën 3.3 miliardë euro, të cilat do të sigurohen nga ulja e pagave minimale në masën 22%, nga reduktimi i pagave deri në 32 %, shfuqizimi i të gjitha përjashtimeve nga taksat, nga ulja e pensioneve bazë me 15%, nga privatizimet e disa kompanive shtetërore dhe mbyllja e disa të tjerave, shkurtimi i 15 000 punonjësve gjatë këtij viti, ulja e kostove në shëndetësi me 1,1 miliardë euro, reduktimi i 400 milionë euro në shpenzimet buxhetore kryesisht në sektorin e mbrojtjes, reduktimi i 400 milionë euro në investimet publike, përftimi i 120 milionë euro nga uljet në kompensimet, si dhe ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Në masat e Memorandumit përfshihen gjithashtu edhe rikapitalizimi i bankave, ndryshimet në sistemin e taksave, ndryshimi i marrëveshjeve kolektive të punës etj. Të dy marrëveshjet pritet të shkojnë nesër në parlament, për t’u votuar deri ditën e diel me procedure të përshpejtuar, që Greqia të përfitojë sa më shpejt ndihmën prej 130 miliardë euro, nga i cili varet mbijetesa financiare e saj dhe perspektiva. Zëvendësministri i Punës Janis Kucukos, dha dorëheqjen, pasi sic u shpreh nuk mundet të zbatojë ato masa që u miratuan nga liderët politikë.