Greqi | Eurozona miraton planin e shpëtimit

alt

“Ministrat rihartuan deklaratën finale”, njoftoi një zyrtar evropian, pasi kishte theksuar se forumi i Eurogrupit ra dakord për këtë plan pas më shumë se 12 orë negociatash intensive. Në sajë të këtij plani Greqia do të jetë në gjendje të rimbursojë një borxh prej 14,5 miliardë eurosh deri më 20 mars dhe gjithashtu të shmangë falimentimin. ”Plani i shpëtimit do të mundësojë reduktimin e borxhit grek deri në nivelin 120,5 për qind deri në vitin 2020, kundër 160 për qind që është sot”, theksoi një burim qeveritar evropian. Vendet e zonës euro ranë dakord për një plan shpëtimi me një vlerë prej 237 miliardë eurosh për të shmangur falimentimin e vendit dhe pasojat e paparashikueshme për mbarë Evropën. Ky plan përfshin një pjesë të ndihmës publike, kryesisht një kredi me vlerë prej 130 miliardë eurosh, pas një programi të parë kredie në mbështetje të vendit vendosur në muajin maj 2010 dhe që kishte një vlerë prej 110 miliardë eurosh. Ndihma tjetër përfshin fshirjen e një pjese të borxhit grek marrë përsipër nga kreditorët privatë, bankat dhe fondi i investimeve. Ata do të pranojnë një humbje prej 53,5 për qind, një përpjekje në rritje në raport me objektivin fillestar që ishte 50 për qind. Kjo do të mundësojë reduktimin e borxhit të vendit me një vlerë prej rreth 100 miliardë eurosh, një shifër rekord në historinë ekonomike botërore, që e tejkalon ristrukturimin e borxhit të Argjentinës. Detajet do të publikohen në një konferencë shtypi nga presidenti i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker.

Advertisement