Greqi – Doganierët zhvillojnë sot një grevë tre orëshe

Zyrtarët shqiptarë kanë njoftuar për radhë të gjata në doganat kryesore në kufi me Greqinë, Kakavijë, Kapshticë dhe Tre Urat. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi dje subjektet tregtare dhe qytetarët të marrin në konsideratë këtë fakt dhe të shmangin kalimin e tyre ose të mallrave në këto orare. Por, radhë të gjata emigrantësh janë vërejtur që dje në pikën doganore të Kapshticës, të cilët presin të kalojnë kufirin për të kaluar festën e Pashkëve ortodokse në atdhe. Mbrëmë mësohet se ka pasur radhë në anën greke për shkak se kjo pikë po punonte vetëm me dy sportele, në prag të grevës së sotme. Greqia është përballur keto kohe me një sërë protestash dhe grevash të sektorit publik. Situata në vendin fqinj është tensionuar tej mase për shkak të krizës së rëndë ekonomike, por edhe përplasjeve të fundit mes policisë dhe protestuesve pas vdekjes së një adoleshenti në muajin dhjetor. Kryeministri Karamanlis ka bërë të ditur se nuk do të japë dorëheqjen edhe pse situata është bërë problematike, ndërkohë që ai ka zëvendësuar disa ministra të qeverisë së tij, në një përpjekje për të qetësuar publikun.

Advertisement