Deklarata u bë nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakoyannis. “Qeveria Gruevski, me përpjekjet e saj të mëdha për të vjedhur historinë, mendon se mund të rishkruajë të kaluarën. Ajo po e çon popullin e vendit tonë fqinj drejt fanatizmit dhe kjo po e thellon edhe më tej largësinë ndërmjet tyre dhe perspektivës euro-atlantike”, deklaroi shefja e diplomacisë greke, Dora Bakoyannis. Sipas saj, Greqia po merr pjesë në negociata me “një shpirt konstruktiv dhe me qëllimin e arritjes së një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët, pa të humbur dhe të fituar”. “Lidhur me emrin, negociatat me ndërmjetësimin e OKB-së po hyjnë në një fazë të re. Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për arritjen e rezultatit më të mirë të mundshëm”, deklaroi Bakoyannis. “Qeveria jonë ka arritur të japë këtë mesazh që po i dërgohet Shkupit edhe nga NATO dhe BE-ja. Linjat tona të kuqe janë dhe do të mbeten të pacënueshme. Duhet një zgjidhje me emër të përbërë, me një përcaktim gjeografik, për përdorim nga të gjithë. Duhet një zgjidhje që kënaq të gjithë dhe çon drejt bashkëpunimit dhe sigurisë së rajonit dhe popujve tanë”, deklaroi ministrja e Jashtme greke.