Gjykata e Lushnjës e ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e drejtoreshës së zyrës arsimore, Liza Tabaku, djalit të saj, Xhanluko Tabaku, dhe shokut të tij, mësuesit të fizkulturës, Rigert Zeneli, të cilët u prangosën mesditën e të shtunës në flagrancë, teksa po ndanin paratë që i kishin marrë një qytetari kundrejt moslargimit të tij nga puna. Në çeljen e seancës së caktimit të masës së sigurisë, që nisi në orën 14:00 të ditës së djeshme, prokurorja e çështjes, Rovena Zoto, pasi ka paraqitur para gjykatës gjithë provat e siguruara prej hetimit dymujor ka kërkuar ndalimin e ligjshëm të tre të arrestuarve dhe caktimin e masës së tyre “arrest në burg” pa afat.
Provat
Sipas prokurores Zoto, hetimi ka nisur në fillim të muajit tetor të këtij viti, pasi ishte transferuar aty për kompetencë prej Prokurorisë së Fierit. Ndaj të dyshuarve Xhanluko Tabaku dhe Rigert Zeneli ka nisur hetimi për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndaj 44-vjeçares Liza Tabaku, për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, nga hetimet dymujore, drejtoresha e zyrës arsimore Lushnjë, Liza Tabaku, ka kryer veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke ofruar transferimin apo emërimin e personave të ndryshëm, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Gjithashtu, dyshohet se merrte para edhe nga mësues të cilët i kërcënonte me largim nga puna. Për të kryer këtë veprimtari korruptive ajo ndihmohej nga persona të tjerë, të cilët ishin në rolin e ndërmjetësve. Mes këtyre sekserëve akuzohen se janë edhe djali i saj, Xhanluko Tabaku dhe Rigert Zeneli. Prokurorja e çështjes ka shpjeguar se pasi janë siguruar informacione të mjaftueshme rreth kësaj afere korruptive, janë kryer hetime speciale nga janë siguruar prova konkrete që e faktojnë këtë gjë. Kështu, nga hetimi ka rezultuar se në takimet e zhvilluara në ambientet e Zyrës Arsimore Lushnjë midis drejtoreshës dhe qytetarëve të ndryshëm të interesuar, këta të fundit i kanë premtuar dhënien e një “kafeje”, kundrejt vendimit për emërimin në detyrën e mësuesit. Së bashku me djalin e saj, ata vendosnin për mundësitë e emërimit të punëkërkuesve, transferimit dhe lejimit të qëndrimit në detyrën e mësuesit, të personave të ndryshëm, kundrejt shumave të caktuara të parave, që variojnë nga 3000 deri në 5000 euro. Në një rast, Xhanluko, nëpërmjet të arrestuarit Rigert Zeneli, ka ndërhyrë që të mos largohet nga puna një mësues në një komunë të Lushnjës në këmbim të shumës 1300 euro. Nga verifikimet është konkluduar se pasi janë marrë paratë, drejtoresha Liza tabaku nuk ka marrë asnjë masë për largimin e mësuesit në fjalë, edhe pse e kishte paralajmëruar për një gjë të tillë. Ndërkohë, mesditën e të shtunës, rreth orës 12:30, në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj të Rrethit të Lushnjës, të akuzuarit Rigert Zeneli dhe Xhanluko Tabaku janë takuar me njëri-tjetrin. Xhanluko Tabaku ka mbërritur aty me mjetin tip “Mercedes Benz C-Class” dhe është takuar në këmbë me Rigert Zenelin. Sipas prokurorisë, pasi kanë biseduar për pak sekonda me njëri-tjetrin, Rigert Zeneli i ka dhënë Xhanlukos një shumë lekësh në formë “mite” sipas bisedës së rënë dakord më parë. Në këto momente, ka ndërhyrë policia që ka bërë arrestimin në flagrancë të Xhanlukos dhe Rigert Zenelit, me detyrë mësues fizkulture në shkollën e fshatit Allkaj. Gjatë kontrollit të kryer menjëherë pas ndalimit, Xhanluka Tabakut i janë gjetur me vete 160 000 lekë, ndërsa Rigert Zenelit 40 mijë të tjera. Nga hetimi ka rezultuar se këto para i janë marrë mësuesit G. Sh. në këmbim të qëndrimit të tij në detyrë, edhe pse nuk e kishte kualifikimin e duhur profesional. Pas ndalimit të dy personave të sipërcituar, është arrestuar edhe Liza Tabaku në banesën e së cilës janë gjetur shuma të konsiderueshme lekësh dhe valute (euro), të shpërndara në disa zarfe ku kishte mbishkrime emrash të ndryshëm. Gjithashtu, gjatë kontrollit është gjetur edhe një certifikatë për vërtetim pronësie për një apartament të regjistruar në emër Liza Tabakut, që ndodhet në lagjen Yzberisht të Tiranës. Pasi është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Tabaku ka hedhur në tualet një shumë prej 2500 eurosh dhe 50 000 lekësh, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sqaroi prokurorja Rovena Zoto, e cila kërkoi që gjykata të marrë parasysh provat dhe të caktojë burg për të akuzuarit.
Mbrojtja
Pasi ka dëgjuar prokuroren e çështjes, drejtoresha Liza Tabaku ka deklaruar se këto nuk janë prova dhe e ka cilësuar dosjen hetimore si një retorikë të pakuptimtë. “Nuk ka asgjë të vërtetë në këto që thoni. Unë nuk kam qenë në dijeni se çfarë mund të bënte djali, por vetë nuk kam qenë e implikuar në asnjë rast të tillë. Nëse gjeni prova dhe qoftë edhe një dëshmitar që unë i kam kërkuar para të më dënoni sa të doni. Më dënoni 25 vite burg po gjetët diçka të tillë. Jam e bindur që e gjithë kjo është një lojë e ndërtuar, sepse askush nuk mund të thotë që unë kam pranuar të çoj në punë njerëz që nuk e meritonin’, mësohet të ketë pohuar Liza Tabaku në gjykatë. Më pas avokati i Tabakut, Kozma Jano ka kërkuar që ndalimi i saj dhe i dy të arrestuarve të tjerë të vlerësohet i paligjshëm dhe ndaj tyre të caktohet një masë më e lehtë sigurie nga ajo e kërkuar prej prokurorisë. Por, pasi gjyqtarja Sajmira Hila ka dëgjuar për më shumë se dy orë pretendimet e të dyja palëve ka vendosur të kërkojë kërkesat e organit të akuzës duke i lënë në burg pa afat tre të arrestuarit. Prokuroria ka mësyrë mesditën e djeshme në ambientet e zyrës së arsimit Lushnjë ku ka sekuestruar gjithë dokumentacionin e emërimeve që janë kryer gjatë këtij viti nga Liza Tabaku. Ndërkohë, po hetohet edhe për përfshirjen e sekserëve të tjerë në këtë aferë korruptive.
Burimi: Gazeta Shqip | Edmond Hoxhaj