Gjykata e Tiranës liroi drejtorin e Interpolit, Artan Bajraktari, i cili akuzohet se ka fshehur kërkesën e Belgjikës për ekstradimin e Mark Frrokut.Masa e sigurisë për të, e dhënë të mërkurën, është “detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, nga prokuroria është kërkuar edhe pezullimi nga detyra i Artan Bajraktarit.
Avokati i zotit Bajraktari tha për mediat: “Jam shumë i lumtur që Gjykata e korrigjoi gabimin. Unë besoj në profesionalizmin e klientit tim. Nuk ka logjikë të ngrihet një proces penal i këtij karakteri. Nuk ka asgjë të paligjshme në veprimet e tij”.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ndaloi gjatë orëve të vona të së hënës dy drejtues të lartë të Interpol Tiranës: Artan Bajraktari dhe Loreta Alla.
Ata nuk kanë njoftuar autoritetet që Frroku ka qenë i kërkuar në Belgjikë, pasi kërkesa nga autoritetet belge kishte mbërritur në Tiranë në janar të këtij viti.
Oficerët akuzohen se kanë fshehur disa prova dhe nuk kanë vepruar për këtë çështje.