Gjykata e Tiranës dënoi sot me 35 vite burg Kostandin Xhuvanin, i akuzuar për vrasjen e katër personave më 4 nëntor 2014, pas një konflikti në një lokal në Tiranë.
Vendimi u komunikua nga gjyqtari i çështjes, Sokol Tona, i cili tha se pas provave shkresore dhe shkencore, akteve të ekspertimit dhe dëgjimit të dëshmitarëve, vendosi të deklarojë fajtor Kostandin Xhuvanin, i datëlindjes 24 qershor 1989, për vrasjen e 4 personave. Po ashtu, gjykata e shpalli fajtor dhe për armëmbajtje pa leje.
“Për sa i përket rrethanave të tilla si pendimi i pandehurit, apo kryerja e veprës penale nën efektet e përdorimit të alkoolit apo lëndëve narkotike, Gjykata vlerëson se rrethana të tilla nuk mund të konsiderohet lehtësuese, në kuptim të lehtësimit të dënimit ndaj të pandehurit, të tilla që të ndikojnë në llojin e masës së dënimit ndaj tij”, deklaroi Kryetari i trupit gjykues.
Vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa vendimi i heq të drejtën për lirim para kohe me kusht.
Në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar dënimin maksimal për 25 vjeçarin Xhuvani.
Xhuvani akuzohet si autor i vrasjes së shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaji, pas një grindjeje të çastit në ambientet e një lokali nate në Rrugën e Elbasanit, në nëntor të një viti më parë. Nga të shtënat me armë zjarri humbën jetën edhe shtetasi Arbër Demiraj, si dhe shtetasi italian Xhanpaolo Azzolo, i cili ndërroi jetë në spital.