Gjykata e Apelit ka marrë vendimin! Vula e Partisë Demokratike të Shqipërisë i takon liderit historik të demokratëve Sali Berisha.
Ky vendim i rëndësishëm vjen pas afro 3 vitesh përplasje në kampin opozitar.
Mbështetësit e Berishës kanë nisur festën në selinë blu. I pranishëm gjatë seancës, bashkë me kolegë të tjerë demokratë, Flamur Noka pati një prononcim të shkurtër për gazetarët jashtë ambienteve të gjykatës. Noka tha se vendimi i gëzon demokratët, ndërsa për “regjimin është një ditë e keqe”.
Vlen të theksohet se Berisha ndodhet në “arrest në shtëpi” që prej 30 Dhjetorit 2023. Ai akuzohet si i dyshuar për korrupsion sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”. GJKKO me kërkesë të SPAK fillimisht kishte dhënë masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ për ish-kryeministrin, por ai refuzoi ta zbatonte.
Edhe pse i izoluar në banesë, prej 6 muajsh ai ka qenë aktiv në politikë. Çdo pasdite nga dritarja e shtëpisë, u është drejtuar me fjalime mbështetësve të tij. Teksa ka ‘denoncuar’ e akuzuar kundërshtarët e tij, zgjedhjet e 2025-ës kanë qenë gjithnjë në fokus të Berishës. Kryedemokrati synon fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.