Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, zhvilloi një takim me gazetarët për t’ju komunikuar disa prej objektivave që MIE ka për vitin 2015 në funksion të avancimit me axhendën evropiane të vendit.
Ristrukturimi i strukturave të integrimit në gjithë Ministritë e Linjës, mbledhjet e grupeve të punës që monitorojnë zbatimin e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian,Tryezat e Dialogut të Nivelit të Lartë, takimet bilaterale për të ruajtur një klimë dhe një imazh sa më pozitiv të vendit me partnerët Evropianë, Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Komunikimit, koordinimi sa më i mirë më të gjithë aktorët janë disa nga objektivat kryesorë të punës të Ministrisë së Integrimit Europian.
Gjatë komunikimit me mediat, Ministrja Gjosha theksoi se vendi është në rrugë të mbarë dhe ka si sfidë të radhës hapjen e negociatave me BE.
“Hyrja në këtë fazë të procesit, na kërkon më shumë punë, më shumë burime njerëzore dhe kapacitete të ngritura qoftë për përthithjen e më shumë fondeve, por mbi të gjitha për të çuar përpara integrimin e vendit. Sigurisht që nuk kemi afate të caktuara, por e ritheksoj se me të gjithë reformat e ndërmarra vendi është në rrugë të mbarë”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha, nënvizoi se reforma në administratën publike, lufta kundër krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, janë prioritete me ecuri shumë të mirë. Ministrja theksoi se reforma në drejtësi mbetet thelbësore për të avancuar më tej me procesin e integrimit.
Ministrja u shpreh se me rifutjen e opozitës në Parlament, pritet të miratohet Këshilli Kombëtar i Integrimit.
“Ngritja e kësaj strukture me përfshirjen e të gjithë aktorëve do të ndihmojë procesin e integrimit, ndaj do të përfitoja nga rasti që ti bëja një thirrje Komisionit të Integrimit të mblidhet sa më shpejt për ta finalizuar”, u shpreh Ministrja Gjosha.