“Asnjë shqiptar i veshur me uniformën e policisë nuk duhet të ngatërrojë ngjyrën e uniformës të Shtetit me ngjyrën e flamurit të pushtetit dhe duhet të qëndrojë larg votave të popullit shqiptar më 28 qershor. Sepse ndryshe do të ndëshkohet dhe nuk do të kemi paqe deri sa ta vëmë përpara ligjit. Dua t’i them Sali Berishës se nuk ka turp më të madh për një pushtet dhe për një kryeministër në Evropën e shekullit të 21, që nga një anë t’iu numërojë përditë arsimtarëve dhe arsimtareve rrogën që u rrit dhe nga ana tjetër t’i kërcënojë përditë se po nuk i dhanë votën do t’u heqë rrogën. Asnjë arsimtar dhe arsimtare nuk duhet të trembet përpara këtij presioni njerëzish të dëshpëruara që bëjnë gjëra të dëshpëruara sepse nuk shmangin dot humbjen e paralajmëruar” tha Rama. Rama u ndal edhe tek administrata shtetërore e cila sipas të gjitha informacioneve të tij po abuzohet me përdorje në mitingje elektorale dhe po kërcënohet për të dhënë votën në drejtim të padëshiruar në rast të kundërt mësuesit apo mjekët pushohen nga puna. “Asnjë drejtues dhe asnjë karrige e administratës së këtij Shteti nuk duhet të vazhdojë me kërcënime ndaj nëpunësve të këtij shteti dhe kërcënimeve të mësuesve edhe mësueseve të fëmijëve tanë, me kërcënime ndaj mjekëve dhe infermiereve që paguhen nga taksat tona, sepse votën e socialistëve, votën e progresistëve, votën e ndryshimit, nuk ka Zot që e çon në drejtim tjetër” deklaroi më tej Rama.