Gjirokastër – Operacioni “Kasaforta”, arrestohen autorët e vjedhjes në Kurvelesh

Të arrestuarit janë 23-vjeçari Sali Goxhaj dhe 20-vjeçari Erion Stroka, që të dy banues në fshatin Valare të rrethit Gjirokastër, ky i fundit i dënuar edhe më parë për vjedhje me armë. Arrestimi i tyre u bë për arsye se të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë natës së djeshme, kanë vjedhur arkën e komunës Kurvelesh të Tepelenës, ku kanë marrë kasafortën në të cilën ndodheshin 3.5 milion lekë të vjetra, të cilat u përkisnin invalidëve dhe atyre që përfitojnë asistencë sociale, si dhe disa dokumenta të tjera. Bëhet e ditur nga forcat policore se ata e kanë fshehur atë në vendin e quajtur Ura e Kozicës në afërsi të fshatit Nivicë. Më pas janë larguar në drejtim të qytetit Tepelenë për të marrë mjete më të forta për hapjen e kasafortës pasi nuk e kishin hapur dot. Nga informacionet e marra në rrugë operative, u bë e mundur kapja e tyre së bashku me automjetin tip Benz me targa SR 46 79 B, në vëndin e quajtur kthesa e fshatit Bënçë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë e mundur gjetja e kasafortës si dhe sekuestrimi i lekëve apo sendeve të tjera të vjedhura. Gjithashtu, u dokumenta me prova ligjore se këta dy persona një muaj më parë gjatë orëve të natës, kanë vjedhur me thyerje kasafortën e komunës Picar të rrethit Gjirokastër ku kanë marrë një shumë prej 6.8 miliionë lekësh të vjetra. Me këto lekë kanë blerë automjetin tip Benz me targa SR 46 79 B dhe pjesën tjetër e kanë ndarë me njëri-tjetrin duke i shpenzuar në lokale nate. Policia ka sekuestruar me cilësinë e provës materiale automjetin tip Benz, 5 aparate celular, katër leva hekuri të cilat shërbenin për hapjen e kasafortave, si dhe kasaforta e Komunës Kurvelesh së bashku me 3.5 milionë lekë. Me urdhër të Prokurorit, lekët iu kthyen Komunës Kurvelesh pasi do t’u shpërndahen invalidëve dhe shtetasve të cilët trajtohen më asistencë sociale.

Advertisement