Gjirokastër – Ndalohet një skaf me 300 kg kanabis, arrestohet një person

Mësohet se në pranga ka rënë një nga skafistët. Operacioni i policise bregdetare te Sarandës, komisariatit të policisë së këtij qyteti dhe skuadrës së antidrogës ka mundur të bllokojë një skaf gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës në vendin e quajtur Pema e Thatë. Pas kontrollit në skafin rreth 5 metra i gjatë është zbuluar në disa thasë lënda narkotike e llojit “kanabis”. Pas këqyrjes së lëndës narkotike u mësua se bëhet fjalë për rreth 300 kg kanabis ativa. Burimet shtojnë se lënda narkotike ishte siguruar nga Lazarati per t’u transportuar më pas nga qyteti bregdetar drejt shtetit të Greqisë. Në momentin e operacionit në skaf ndodheshin dy persona. Policia ka mundur të kapë njërin prej tyre ndërsa tjetri ka përfituar nga errësira dhe është larguar për momentin në drejtim të paditur. Nuk jepen detaje për identitetin e të arrestuarit, ndërsa grupi hetimor i ngritur për cështjen në fjalë ka shtrirë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik që dyshohet se rrjeti i tij është i gjërë me më shumë se dy persona. Kjo është sasia e dytë e madhe që kapet në Sarandë pas operacionit në nëntor të vitit të kaluar kur policia e këtij qyteti sekuestroi po 300 kg kanabis në Delvinë. Në komunikatën për shtyp të atëhershme, policia bëri të ditur se kanabisi vinte nga komuna e Lazaratit në Gjirokastër. Në operacionin e tetorit policia prangosi 5 persona.

Advertisement