Gjiknuri: Siguri energjitike përmes diversifikimit të burimeve dhe lidhjeve të interkonjeksionit

Problemet e sigurisë energjitike rajonale ishin në qendër të konferencës “Siguria dhe infrastruktura energjitike në Evropën Juglindore”, organizuar në kryeqytetin bullgar, Sofje, nga Akademia Diplomatike dhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Zyra e shtypit e ministrisë së Energjisë dhe Industrisë njofton se në cilësinë e drejtuesit të radhës së Presidencës së Komunitetit të Energjisë, ministri Gjiknuri u ndal tek nevoja për diversifikimin e burimeve energjitike si rruga më e mirë për të garantuar sigurinë energjitike, ndërsa theksoi faktin, që të gjitha vendet e Evropës Juglindore po i kushtojnë vëmendje forcimit të lidhjeve të interkonjeksionit midis tyre për të maksimalizuar shkëmbimet e energjisë.

Advertisement

“Shqipëria e ka funksionale linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi dhe Greqinë, ndërsa vitin e ardhshëm përfundon linja me Kosovën”, tha Gjiknuri, duke sqaruar se Shqipëria e ka garantuar mbështetjen financiare për ndërtimin edhe të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë, çka rrit potencialisht mundësitë për shkëmbime edhe me tregun bullgar të energjisë.

“Kjo linjë, sipas parashikimeve të qeverisë shqiptare pritet që të mund të fillojë vitin e ardhshëm. Një rrjet interkonjeksioni i plotë mes vendeve tona do të thotë mundësi më të mëdha për të ndërvepruar si nga kompanitë publike, ashtu edhe investitorët privatë në fushën e energjisë. E gjitha kjo do të kontribuojë padyshim në objektivin primar të sigurisë energjitike”, nënvizoi ministri.

Sipas tij, shihet me shumë interes krijimi i kushteve për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal të energjisë, duke kthyer në sinergji burimet diverse të vendeve partnere. “Për efekt të hapësirës së vogël të tregjeve dhe fragmentarizimit ekonomik, tregu i përbashkët jo vetëm që rrit sigurinë energjitike, por ofron dhe çmime më të favorshme për konsumatorët”, vlerësoi Gjiknuri.

Ministri vlerësoi projektin TAP, që i jep Shqipërisë një rol të ri të rëndësishëm rajonal në sektorin e energjisë, krijon sinergji pozitive mes Lindjes së Mesme dhe Europës, Kaspikut dhe Adriatikut.
“Shqipëria është duke përgatitur me konsulentë dhe me investime të BE-së Masterplanin e Gazit, i cili përfundon në 2016. Synohet që një pjesë e gazit të shkojë për prodhimin e energjisë elektrike, duke përbërë një burim bazë, që i kombinuar me rezervuarët e mëdhenj hidro që ne i kemi, të garantojë një siguri më të madhe energjetike”, tha ai.

Sipas Gjiknurit, duke lidhur projektin e gazsjellësit TAP me gazsjellësin IAP, krijohen mundësi të reja investimesh në Ballkanin Perëndimor në linjë dhe me Planin e veprimeve të Diplomacisë Energjitike të Bashkimit Evropian për forcimin e diversifikimit të burimeve dhe infrastrukturës energjitike.

Konferencës “Siguria dhe infrastruktura energjitike në Evropën Juglindore” ju drejtua me një fjalë rasti edhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov dhe zv.President i Komisionit Evropian, përgjegjës për bashkimin energjitik, Maros Sefcovic.

Gjatë konferencës, ministri Gjiknuri zhvilloi takime me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Ministrin e Jashtëm dhe Ministren e Energjisë së Bullgarisë.