Transparenca në industrinë nxjerrëse ka të bëjë me identifikimin e pronarëve të vërtetë të kompanive që operojnë në këtë fushë. Kështu është shprehur nga Lima e Perusë, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Ai ka marr pjëse në konferencën dy ditore globale të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI), iniciativë ndërkombëtare kjo e institucionalizuar më 2002.
“Ka shumë arritje por ka ende shumë për të bërë. Kjo është një iniciativë shumë e mirë, pavarësisht se është një iniciativë e një grupi të vogël vendesh. Ne këtu bëmë diskutime se si do të rrisim transparencën, si të luftojmë korrupsionin. Transparenca është me shumë rëndësi për të kuptuar se kush janë pronarët e vërtetë të kompanive që shfrytëzojnë burimet natyrore. A do të jemi ne në gjendje që përmes kësaj iniciative të vogël të bëhemi global, duke shtuar shtetet anëtare dhe të imponojmë transparencën se se cilët janë pronarët e vërtetë të kompanive që shfrytëzojnë burimet natyrore”, është shprehur Gjiknuri.
Ministri tha më tej se Shqipëria tashmë nga një vend problematik, ka shënuar arritje pasi në dy vitet e fundit ka publikuar disa raporte transparence në përputhje me standardet e EITI.
“Në 20 vitet e fundit ekonomia ka ndryshuar por ende industria nxjerrëse dhe industritë e lidhura me mineralet, naftën dhe gazin luajnë një rol të rëndësishëm për Shqipërinë. Transpareanca për mënyrën se si këto burime janë duke u përdorur bëhet shumë e rëndësishme”, tha më tej Gjiknuri.
EITI në funksion të transparencës, monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin, nëpërmjet një raporti vjetor, që përgatitet nga një administrator i pavarur.