Gjesti ka njoftuar publikisht se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kompanisë Onima, duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të autorit mbi veprat e tij muzikore. Përmes një reagimi zyrtar, artisti ka bërë të ditur se, pas konsultimeve me ekipin e tij ligjor, ka vendosur të ndjekë rrugën e drejtësisë. Ai ka paralajmëruar se sot, do të depozitojë kallëzim penal në prokurori, jo vetëm ndaj kompanisë Onima, por edhe ndaj stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Sipas deklaratës së Gjestit, thelbi i konfliktit lidhet me një kontratë që pretendohet se është nënshkruar pa dijeninë dhe pa autorizimin e tij, e cila përfshin të drejtat e autorit për të gjithë repertorin e tij muzikor.
“Pa dijeninë dhe pa autorizimin tim kanë nënshkruar kontratë rreth të drejtave të autorit për të gjitha veprat e mia”, është shprehur ai, duke ngritur kështu dyshime serioze mbi mënyrën e menaxhimit të të drejtave artistike.
Këngëtari ka theksuar gjithashtu se do të jetë i hapur për transparencë, duke paralajmëruar dalje publike për mediat, ku së bashku me avokatin e tij do të sqarojë çdo detaj të kësaj çështjeje dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Ky zhvillim pritet të marrë vëmendje të madhe jo vetëm nga publiku, por edhe nga vetë industria muzikore, pasi prek një temë delikate siç janë të drejtat e autorit dhe raportet kontraktuale mes artistëve dhe kompanive menaxhuese.



