Gjatë takimit me kreun e Bundestagut, Rama e njohu z.Lammert me përpjekjen e opozitës shqiptare për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të përmbushur të gjitha kërkesat e KE-së. Në përgjigje të interesit të Presidentit të Bundestagut gjerman, kreu i opozitës e njohu z.Lammert dhe me zhvillimet e fundit që lidhen me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Shqipëri në mënyrë konsensuale, si edhe me ecurinë e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Kreu i parlamentit gjerman, pas takimit, tha se Shqipëria duhet të jetë një kandidate serioze për në BE. “Unë gjithmonë e kam thënë që Shqipëria në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin e shumicës dërrmuese të parlamentit gjerman, i përket Europës, por ka nevojë që të implementojë kriteret e nevojshme në mënyrë që të mos jetë thjesht pjesë e Europës, por të bëhet një kandidate serioze për Bashkimin Europian”, u shpreh ai. Një tjetër takim i rëndësishëm i kryetarit të PS-së ishte dhe ai me kreun e SPD-së gjermane, Sigmar Gabriel, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin mes dy partive, si dhe për disa çështje specifike të programit qeverisës siç janë taksimi i ndershëm dhe masat antikrizë. Gabriel ofroi mbështetjen e plotë të socialdemokratëve gjermane për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ftoi kryetarin e PS-së për të marrë pjesë në përvjetorin e 150-të krijimit të SPD gjermane. Kryetari Gabriel, pas takimit me homologun e tij shqiptar, tha se shpreson që Rama të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të dyja forcat politike të punojnë së bashku.


