Gjergj Bojaxhi, në garë për Tiranën

Gjergj Bojaxhi shpalli këtë të hënë kandidaturën e tij për kryetar bashkie të kryeqytetit, në garën elektorale për pushtetin vendor, që zhvillohet me 21 qershor.“Ne, që në Tiranë jemi pa siguri, pa qetësi, pa ajër të pastër, pa rrugë të lira, me shkolla me dy turne, jemi më tepër se ata që votojnë symbyllur për partitë e vjetra të tranzicionit. Ne jemi shumica dhe u bëjmë thirrje të bashkohemi për ta rikthyer qytetin në duart e qytetarëve”, tha Bojaxhi.
Bojaxhi prezantoi me pak fjalë edhe platformën, që sipas tij, do t’i jepte zgjidhje probleme në kryeqytet.
“Ne Tirana, ne shumica, do të bëjmë një qytet më të gjelbër për fëmijët tanë, më të hapur për këmbësorët, më tërheqës për sipërmarrësit, më motivues për nxënësit, më të jetueshëm për banorët. Ne do të bëjmë një qytet më dinjitoz për të gjithë”, tha Bojaxhi, në këtë prezantim të shkurtër mediatik të ambicjes së tij të fundit politike.
Gjergj Bojaxhi fillimisht u njoh për publikun kur u caktua si drejtor i KESH-it. Më pas kariera e tij vijoi si zëvendësministër i Ekonomisë dhe drejtor i INUK.

Advertisement