Gjendja alarmante e rinisë/ 32% e 20-vjeçareve as në punë, as në shkollë…

Teksa ekonomia e vendit në këto 30 vite tranzicioni është rritur nga viti në vit, përfitimet nga rritja nuk po reflektohen tek kapitali human, sidomos tek të rinjtë.

Pas emigracionit të lartë, zhvillimet e brendshme në sistemin arsimor dhe tregun e punës për të rinjtë tregojnë përkeqësim.

Advertisement

Një botim i fundit i INSTAT mbi mirëqenien e adoleshenteve tregoi se për vitin se në vitin 2021 gati 32 për qind e 20-vjeçareve nuk ishin në shkollë dhe as në punë.

Gati një e treta e e grupmoshës 20-24 vjeç nuk bën asgjë për formimin profesional qoftë nga arsimi qoftë nga tregu i punës.

Gjendja e të rinjve sot është pasqyra e se nesërmes së shoqërisë. Synimet për tu larguar nga vendi po i mbajnë të rinjtë larg shkollës dhe tregut të punës, teksa shifrat tregojnë për një braktisje të lartë të arsimit bazë. Për të rinjtë, procesi i arsimimit dhe formimit profesional, është parësor dhe i paraprin karrierës së mëvonshme profesionale, prandaj dhe sa më herët në moshë, aq më të zënë janë të rinjtë me procesin e mësimit dhe, si rrjedhim, ka më pak pjesëmarrje në tregun e punës

Anketa e INSTAT tregon se, mosha 15-19 vjeç, në pjesën më të madhe, është ende e angazhuar në arsim dhe janë të paktë të rinjtë që ndjekin shkollën dhe njëkohësisht kryejnë ndonjë punë, si punë verore, në fundjavë, apo pas mësimit.

Mosha 20-24 vjeç ka një ndarje më të barabartë midis punësimit dhe arsimit, por shqetësues mbetet fakti se një pjesë e madhe të rinjve që nuk janë, as në punë, por as duke ndjekur shkollën apo ndonjë trajnim të cilët përbëjnë 32 për qind të kësaj grup-moshe.

Ky grup është i konsiderueshëm edhe në grup-moshën 25-29 vjeç. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 30 % kësaj grup-moshe nuk është as në punë dhe as në shkollë. Në këtë grup-moshë bie në sy një përqindje më e madhe e femrave në krahasim me meshkujt që as nuk mësojnë as nuk punojnë.

Kërkesa për punë rritet së bashku me shkallën e punësimit dhe pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, dhe të rinjtë shpesh kanë vështirësi për të gjetur punë.

Rënia e shkallës së papunësisë fillon që pas moshës 25 vjeç, por edhe për grup-moshën 15-29 vjeç është pothuajse dyfishi i treguesit që i referohet popullsisë në moshë pune.

Nga ana tjetër treguesit e arsimit tregojnë braktisje të lartë të arsimit bazë dhe rikthimit të analfabetizmit në nivele të frikshme.

Në vitin shkollor 2021-2022 u regjistruan në arsimin bazë 9-vjeçar 92% e nxënësve të grup-moshës 6-14 vjeç, në krahasim me popullsinë përkatëse (të grupmoshës 6-14 vjeç), përkundrejt 96,5% në vitin shkollor 2017-2018. Kjo shifër tregon se 8 për qind e grup-moshës 6-14 vjeç do të jenë analfabet pa aftësitë bazë. Aftësimi i fëmijëve është pasqyra e së nesërmes së ekonomisë tonë.

Fenomeni i braktisjes së shkollës që u rrit gjatë pandemisë u përforcua edhe më tej gjatë vitit 2021 në vend që të ulej pas kthimit të vendit në normalitet.

Anketa më të detajuara që lidhen me emigracionin tregojnë se braktisja e shkollës në arsimin bazë në nivele të larta lidhet me zhvillimet e vrullshme demografike. Në fshatrat e thella të vendit shkollat mungojnë ose mësimi është i organizuar me klasa kolektive me një rënie drastike të cilësisë. Në vend është kthyer braktisja e shkollës e sidomos nga femrat.