Fushë Krujë – Rama, kërkoj vota për të bërë ndarjen e politikës nga e shkuara

Duke kaluar në pazarin e vjetër të Krujës, simbol të këtij qyteti, në takim me tregtarët e tij Rama ka premtuar politika nxitëse në mbrojte të traditave kulturore dhe historike të qytetit. Duke shfrytëzuar simbolin e Skënderbeut si simbol të bashkimit, kryesocialisti Rama akuzoi kundërshtarin e tij politik Berisha për politika përcarëse duke i kujtuar atij mungesën për një kohë të gjatë në qytetin verior të Tropojës. “Ja ku jemi ne, të gjithë bashkë tek Skënderbeu, por zotrote kur do të shkosh tek Bajram Curri, ndërkohë që unë i thashë atij miku që ma sugjeroi të ta thosha këtë se figurat e mëdha të historisë Ismail Qemali, Skënderbeu, Bajram Curri, Fan Noli të gjithë ata që e kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe që janë arsye për tu krenuar janë njëkohësisht një arsye për tu bashkuar që të gjithë në të njëjtin flamur për të ngritur lart ideale që nuk vjetrohen kurrë”- tha Rama. Rama tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë politke që ka programe të qarta për nxitjen e punësimit dhe arsimimit. “Sali Berisha jua kërkon votën e vetme që keni për të vetmen arsye se ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë djathtas në pushtet apo majtas në opozitën e opozitës jua kërkojnë të vetmen votë për të nxjerrë një gjysëm deputeti që më pas ta nxjerr mandatin e marrë nga ju në pazarin e vjetër të politikës së numrave dhe të interesave personale për ta mbajtur edhe 4 vite të tjera peng qeverinë tuaja, njësojë sic e kemi parë te jetë peng i lloj llojë kryetarësh e ministrash dhe interesash që nuk kanë të bëjnë me interesat tuaja, familjeve tuaja dhe vendit tuaj. Ndërsa unë jua kërkoj votën për të bërë një ndarje të prerë, një ndarje radikale, një ndarje përfundimtare me të shkuarën dhe me politikën e të shkuarës”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Advertisement