Fushë Krujë | Kryeministri Berisha: në 23 qershor votoni për alternativën e punësimit

U inaugurua sot rikonstruksioni i unazës së qytetit të Fushë Krujës, një investim prej 162 milionë lekësh. “Një unazë, e cila në projektin tone, ‘Fushë – Kruja – hyrja e bukur e Tiranës’ , plotëson një infrastrukturë të shkëlqyer për qytetin, modernizon trafkun në këtë qytet, parandalon ndotjen e qytetit dhe krijon një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët e Fushë – Krujës”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë kësaj ceremonie. Kryeministri Sali Berisha u shpreh se, “Partia Demokratike shkon drejt zgjedhjeve si një parti e premtimeve të mbajtura. Si një parti e cila në një hark kohor 6-vjeçar realizoi ndërtimin e mijërave km rrugë”. Ne, vijoi kreu i qeverisë shkojmë të sigurtë në fitore jo për ato që kemi realizuar, por për ato që do të realizojmë. “Komisioni Europian rekomandoi Shqipërinë për vend anëtar të BE-së me kusht që të votohen 3 ligjet. Ligjet u bllokuan nga personi që ka vetëm interesa personale”, u shpreh kryeministri Berisha duke fajësuar opozitën dhe kreun e saj Edi Rama për mosarritjen e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria, gjë që bëri humbjen e miliona euro investime. “Me bllokimin Shqipëria nuk mori statusin dhe humbi qindra milionë euro investime. Emigrantët mbetën pa marrë të drejtën që iu takon, të rejat dhe të rinjtë nuk kanë mundësi që të shkollohen në universitet e BE-së. Po 23 qershori po vjen dhe çdo shqiptar do përdor votën e tij për projektin europian, për integrim, për statusin e vendit kandidat. Çdo shqiptar është ftuar në 23 qershor të votojë për punësimin pasi alternativa jonë është alternativa e punësimit”, tha Berisha. Çdo shqiptar, theksoi Kryeministri Berisha, “është i ftuar më 23 qershor të votojë për punësimin. Alternativa jonë është alternativa e punësimit. Në Shqipëri papunësia pësoi një ulje të lehtë. Pasojat e krizës kanë sjellë një ulje të lehtë të rritjes ekonomike, por ekonomia shqiptare i rezistoi krizës. Realizoi një rritje të lehtë të punësimit. Por njëkohësisht dhjetra mijëra vende pune u mbrojtën nga shkatërrimi dhe nuk ndodhi ajo që ndodhi në vende të tjera. Kjo pasi në kohë stuhie reformat tona u faktuan si reforma të suksesshme”. Kryeministri Berisha deklaroi se PD kërkon votën pasi në 4 vitet e ardhshme do të rriten investimet e huaja dhe do të realizohen projektet më të mëdha në vend.

Advertisement