Një shkëmbim i dhunshëm zjarri ndodhi mes policisë dhe dy terroristëve që shkaktuan masakrën në redaksinë e revistës franceze satirike “Charlie Hebdo”, ku dyshohet se kanë mbetur disa të plagosur.
Tre ditë pas vrasjes së 12 personave, policia franceze ka lokalizuar dy vëllezërit franko-alegjerianë Cherif dhe Said Kouachi, të cilët janë mbyllur në ndërtesën e një shtypshkronje në Damartin en Goel dhe mbajnë peng pronarin e kompanisë. Ende nuk dihet se si do të rrjedhë ngjarja, ndërsa mësohet se mes policisë dhe dy vëllezërve franko-algjerianë kanë nisur negociatat. Sipas mediave franceze, shkëmbimi i zjarri ndodhi në veri-lindje të Parisit dhe të shtënat kanë qenë në drejtim të policisë, megjithatë të dhënat e para ishin për rreth 20 të plagosur dhe dy të vdekur, lajm që u përgënjeshtrua më pas nga prokurori i Parisit. Atentatorët u lokalizuan nga helikopterët e policisë në pyjet në veri-lindje të Parisit, ndërsa policia i ka bërë thirrje banoreve ne këtë zonë që të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Ndërtesa ndodhet pranë një zone të banuar dhe aeroportit Roissy-Charles de Gaulle ku mësohet nga Agjencia Ajrore News se janë pezulluar uljet e dy avionëve, të cilët kanë ndryshuar drejtim. Edhe në shkollat dhe kolegjet që ndodhen pranë ndërtesës ku po kryhet operacioni policor janë dhënë udhëzime për mbajtjen e fëmijëve brenda ndërtesës sipas protokolleve të sigurisë. Sipas burimeve policore e gjithë zona është evakuuar dhe Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje gazetarëve të mos publikojnë fotografi nga operacioni për shkak se në këtë mënyrë ekspozohen pozicionet strategjike të forcave speciale. “Vëllezërit thanë se duan të vdesin si martirë”, citojnw mediat franceze deputetin e zonës Seine-et-Marne. Presidenti Francez Francois Hollande foli nga Ministria e Brendshme ku kërkoi që të sigurohet vendi me masa maksimale, për të parandaluar përsëritje të këtyre akteve terroriste që kanë përfshirë vendin. Kryeministri francez, Manuel Valls deklaroi sot se Franca është në luftë kundër terrorizmit dhe jo kundër një besimi fetar.