Një aksident tragjik me 4 të vdekur është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Tiranë-Durrës.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 04.15, në afërsi të Sukthit, kur dy automjete të tipit “Mercedes Benz” që lëviznin përballë njëri-tjetrit me shpejtësi janë përplasur duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy drejtuesve të tyre, si dhe dy pasagjereve.
Automjeti me targa AA694IL, në pronësi të një 23-vjeçareje nga Saranda, studente në Tiranë (me inicialet G.SH.), ku ndodheshin 3 vajzat, po udhëtonte në drejtim të Durrësit, kur është përplasur me automjetin me targa AA 979GV, i drejtuar nga 36-vjeçari Dashnor Deliallisi, që lëvizte përballë tyre në drejtim të Maminasit. Drejtimi i mjetit në kahun e gabuar të lëvizjes nga Deliallisi dhe shpejtësia e madhe me të cilën lëviznin mjetet ka qenë fatale për katër personat që ndodheshin në to.
Mjetet janë shkatërruar plotësisht dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë trupat nga automjetet përkatëse. Nga hetimet e para dyshohet se mjeti ku udhëtonin vajzat drejtohej nga studentja nga Saranda, ndërsa nga dokumentat e gjetura në mjet dyshohet se mes viktimave është dhe një 33-vjeçare me inicialet I.B., banuese në Tiranë.
Burimet policore bëjnë të ditur se priten veprimet e mëtejshme dhe ardhja e familjarëve për të konfirmuar identitetet e tri vajzave që humbën jetën në këtë aksident të rëndë rrugor, ndërsa është rikthyer qarkullimi normal në autostradë.