Forcat braziliane rimarrin kontrollin e Kongresit!

Kryengritje nga mbështetësit e Bolsonaros, mbi 400 të arrestuar…

Policia braziliane ka rimarrë kontrollin e Kongresit, pasi mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro e sulmuan atë. Nga kaosi i shkaktuar nuk ka raportime për viktima apo të lënduar, por dëmet janë të mëdha, ku një pjesë e madhe e xhamave, dritareve, dyerëve dhe mobiljeve janë shkatërruar.

Advertisement

Kryengritja, e cila zgjati pak më shumë se tre orë, theksoi polarizimin e rëndë në vend, disa ditë pas marrjes së detyrës nga presidenti i majtë Luiz Inacio Lula da Silva, i cili mundi Bolsonaron në zgjedhjet e tetorit.

Policia braziliane arrestoi të paktën 400 persona për shkatërrimin e ndërtesave qeveritare të Brazilit, ndërsa hetimet kanë nisur, por aleatët e presidentit kanë ngritur gjithashtu pikpyetje se si forcat e sigurisë publike në kryeqytetin Brasilia ishin kaq të papërgatitura dhe u mposhtën kaq lehtësisht.

Presidenti i Brazilit Lula da Silva inspektoi pallatin presidencial, Gjykatën e Lartë dhe Kongresin për të vlerësuar dëmet pas sulmit të dhunshëm. Gjykata e Lartë e Brazilit shkarkoi gjithashtu edhe guvernatorin e Brasilias nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë e kryeqytetit. Nga Florida, ku ndodhej, Bolsonaro hodhi poshtë akuzën, se ishte ai nxitësi, duke thënë në një postim në Tëitter se demonstratat paqësore ishin demokratike, por pushtimi i ndërtesave qeveritare “kaloi kufirin”.

Ndërkaq udhëheqësit globalë dënuan sulmet në ndërtesat qeveritare të Brazilit. “E gjithë mbështetja ime për Presidentin @LulaOficial dhe për institucionet e lira dhe të zgjedhura në mënyrë demokratike të popullit brazilian. Ne dënojmë kategorikisht sulmin ndaj Kongresit brazilian dhe bëjmë thirrje për kthimin e menjëhershëm të normalitetit demokratik,” shkroi në Tëitter kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Institucionet demokratike të Brazilit kanë mbështetjen tonë të plotë dhe vullneti i popullit brazilian nuk duhet të minohet”, shkroi Biden në Twitter. “Ne dënojmë sulmet ndaj Presidencës, Kongresit dhe Gjykatës së Lartë të Brazilit sot. Përdorimi i dhunës për të sulmuar institucionet demokratike është gjithmonë i papranueshëm. Ne bashkohemi me @lulaoficial për të kërkuar një të menjëhershme fund këtyre veprimeve,” shkruajti në Twitter Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Për shumë analistë kjo situatë kaotike në Brazil është një déjà vu e sulmit që ndodhi në Kapitol Hill ku mbështetësit e ish presidentit amerikan Donald Trump e sulmuan atë, një veprim që u dënua nga shumë liderë botërorë. Bolsonaro është aktualisht nën hetim nga Gjykata e Lartë në Brazil dhe e ardhmja e tij në Shtetet e Bashkuara është në pikëpyetje.