Fluturon avioni elektrik/ Kryhet fluturimi i parë në Vancouver

Avioni i parë komercial krejtësisht elektrik në botë realizoi me sukses fluturimin inaugurues, duke u ngritur në ajër nga qyteti kanadez i Vancouver e duke fluturuar për 15 minuta.

“Kjo vërteton se aviacioni komercial në formë elektrike mund të funksionojë,” tha Roei Ganzarski, shefi ekzekutiv i firmës inxhinierike Australiane magnix. Ishte pikërisht kjo kompani ajo që projektoi motorin e avionit në bashkëpunim me Harbour Air, i cili transporton gjysmë milioni pasagjerë në vit midis Vancouver, resortës së skive Whistler dhe ishujve pranë komuniteteve bregdetare.

Ganzarski u shpreh se teknologjia do të thotë kursim i konsiderueshëm i kostos për linjat ajrore dhe emetim zero.

“Kjo nënkupton fillimin e epokës së aviacionit elektrik,” deklaroi ai. Aviacioni civil është një prej burimeve me rritjen më të shpejtë të emetimeve të gazit karbonik, pasi njerëzit po preferojnë gjithmonë e më shumë udhëtimin ajror. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) ka inkurajuar përdorimin më të madh të motorëve që përdorin biokarburant, si dhe materialeve më të lehta për avionët. Sipas kreut të Harbour Air, Greg McDougall, me elektrifikimin e flotës së avionëve, do të kursehen edhe miliona dollarë që shpenzohen aktualisht për mirëmbajtjen.

Megjithatë kompanisë së tij do t`i duhet të presë për dy vjet, përpara se të elektrifikojë të 40 hidroplanët e saj.

/TopChannel/