“Do ta dua dhe do ta pres Iglin gjithë jetën time. Ai vrau për mua”. Këto janë fjalët e Ambra Salijit, të fejuarës së Igli Metës, shqiptarit që vrau 17-vjeçarin Ismail Lulli në Sant Anxhelo në Vado, në Pezaro të Italisë.
Gjatë dy intervistave në gazetat “Corriere della Sera” dhe “ La Repubblica”, ajo thotë: “Po e vrau, nuk e justifikoj, por nuk donte të arrinte deri këtu”.
19-vjeçarja shqiptare nga Maqedonia thotë se nuk ka patur një lidhje dashurie me Ismailin, megjithëse është vënë në shenjestër si vajza që ndezi xhelozinë dhe kjo e fundit krimin.
“Jemi takuar këtu në Sant Anxhelo in Vado, më pas në Urbania. Në tre apo katër raste, u përpoq të avanconte, por nuk ia kam ushqyer këtë”.
Pyetjes së çfarë e ka shtyrë Iglin të vrasë Ismailin, ajo i përgjigjet: “E bëri për xhelozi. Nuk fshihet asgjë tjetër. Kam lexuar se flitej për borxhe, apo se ishin zënë për çështje droge. Por të gjitha këto janë gënjeshtra: Igli nuk drogohej, ndërkohë që të gjithë e dinë që Ismaili merrte marijuanë dhe ishte pjesë e disa grupeve. Nuk kam aspak lidhje me atë që ndodhi, por kam frikë të dal nga shtëpia….”.
Pyetjes së çfarë ndjen për viktimën dhe familjen e tij, Ambra i përgjigjet: “Ngushëllime. Nuk kam asgjë më shumë për të thënë, pas gjithë gjërave që kam përjetuar këto ditë. Igli ka kryer një krim, tha ajo, më telefonoi menjeherë për të më njoftuar. Nuk munda ta besoj, se e kishte kryer ai”.
Ambra përmend edhe racizmin e banorëve të qytezës. “Kam dëgjuar njerëz të thonë për shqiptarët apo të huajt: “Do ia ndreqim atyre”, aq sa shkatërruan edhe makinën e karabinerëve që po dërgonte Iglin në burg, donin ta sulmonin”.