Filmat e Xhanfize Kekos, nga Vjena në Kopenhagen

Filmat e Xhanfize Kekos po përjetojnë një pranverë të dytë. Sot e nesër, disa prej filmave të saj do të shfaqen në një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së kinematografisë botërore.

“Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur xhirohej një film” do të shfaqen nga Wiena Film Museum (Austri), si një homazh për nder të regjisores shqiptare.

Vetëm pak ditë më parë, nga 24–30 prill 2019, tre prej filmave të Kekos u shfaqën në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Linz (Austri) si pjesë e një retrospektive me shtatë filma dedikuar kinemasë shqiptare, shoqëruar me prezantimin e drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi.

Ndërkohë që nga 24 maj deri më 1 qershor 2019 është programuar që filmat “Mimoza llastica” e “Tomka dhe shokët e tij” të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Zlin (Çeki), si pjesë e “Kinemasë Ballkanike”.

Këto shfaqje vijojnë turin e gjatë që kanë nisur filmat e saj në kinematë e ndryshme të botës, si: në Londër, Belfast, Glasgow, Edinburg, Cambridge, Washington DC, New York, Hartford, Çikago, Rochester, Paris, Jerusalem, Tel Aviv, Haifa, Zagreb, Copenhagen.

Janë vlerat e filmave të veçantë, por dhe individualiteti artistik i regjisores Xhanfise Keko, ato që e kanë risjellë në vëmendjen e studiuesve, kritikëve, regjisorëve e producentëve të filmit në botë, regjisoren e kinemasë shqiptare të periudhës para viteve ’90.

/ATA/