Mbretëresha e talk show-ve amerikanë Oprah Winfrey, pas një planifikimi 3 vjeçar për investimin e 107 milion $, të shtunën në mesditë do të lançojë “OWN – The Oprah Winfrey Network”. Ky projekt është i studiuar deri më detaje, kjo duket dhe nga emri që ka inicialet e drejtueses televizive, por do të thotë edhe “imi”. Sigurisht që rrjeti i ri televiziv mbështetet në një programacion që përfaqëson më së miri pronaren dhe ideuesen. Fryti i një partneriteti 50% – 50% mes Oprah-s dhe Discovery Communications Inc., kanali do të transmetojë në frekuencat e Discovery Health, një rrjet i specializuar në programet mbi shëndetin. OWN do të shihet në 80 milion shtëpi amerikane. Obiektivi është dyfishimi i audiencës së kanalit, mesatarisht rreth 250 mijë shikues në fashën prime time. “Do të jetë një kantier i hapur. Nuk do të ndodhë gjithçka menjëherë. Do të bëjmë prova dhe dalëngadalë do të kuptojmë se ç’funksionon e çfarë jo”,- ka thënë Oprah.
Sipas Wall Street Journal, vetëm në vitin e parë do të prodhohen 22 programe të rinj e origjinalë. Një prej formateve kryesorë do të jetë “Ask Oprah All Star”, një lloj takimi i të dielës. Do të ketë edhe “Oprah’s Next Chapter”, një show i përjavshëm 60 minutësh që do të jetë vazhdimi i të famshmit “Oprah Winfrey Show”, programi që për 25 vite radhazi u shndërrua në një mit. Sipas zërave në qarkullim, Oprah do të jetë në transmetim televiziv për 70 orë në vit. Sigurisht që nuk do të mungojnë dhe specialet dedikuar personazheve me peshë si Sarah Ferguson, Ryan dhe Tatum O’Neal.