FIFA: 59 kandidatë për fitimin e Topit të Artë

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar një listë prej 59 kandidatësh për fitimin e Topit të Artë, që është cituar nga mediat sportive të vendeve të ndryshme.

Skuadra kampione e Evropës në fuqi, Barcelona, përfaqësohet në këtë listë me 7 futbollistë dhe pikerisht Messi, Mascherano, Neymar, Suarez, Bravo, Rakitic dhe Iniesta.

Advertisement

Edhe nënkampionët e Juventusit kanë përfaqësuesit në këtë listë, por një pjesë e tyre janë larguar nga Torino. Vidal, Tevez dhe Pirlo, të cilët tashmë kanë kaluar te Bayern Munchen, Boca Juniors dhe New York City, janë mes 59 kandidatëve për Topin e Artë, ashtu sikurse edhe Chiellini, Pogba dhe Morata. Surpriza e kësaj liste është mungesa e portierit të kampionëve të Italisë, Gianluigi Buffon.

Mjaft mirë prezantohen në këtë listë paraprake edhe Real Madridi dhe Bayern Munich. Spanjollet përfaqësohen nga Cristiano Ronaldo, Gareth Bale, Luka Modric, Karim Benzema, Toni Kroos, Sergio Ramos dhe James Rodriguez, ndërsa skuadra kampione e Gjermanisë ka lojtarët Alaba, Muller, Neuer, Lewandowski dhe Robben.

Pas disa javësh do te percaktohen 23 emrat e futbollistëve që do të vijojnë këtë garë, ndërsa në dhjetor do të zbulohen edhe 3 finalistët.

Ceremonia e dorëzimit të Topit të Artë do të zhvillohet në 11 janarin e vitit 2016, në Zyrih të Zvicrës.