Kështu e ka cilësuar procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ministri Sokol Olldashi gjatë një takimi që zhvilloi me të rinjtë e qytetit të Fierit, duke shtuar se ky është një nga momentet më të rëndësishëm dhe më të shumëpritur në historinë e kombit shqiptar. “Është dashur që në fillim të 2005 t’u tregonim europianëve që shqiptarët nuk ishin delja e zezë që prodhonin kriminalitet dhe me vullnet të qartë, brenda një periudhe të shkurtër arritëm të çmontojmë të gjithë strukturat kriminale që dominonin jetën ekonomike dhe politike të vendit”, deklaroi ai. Duke shtuar edhe faktin, se ka qenë lufta kundër korrupsionit, një tjetër reformë e përmbushur e kësaj qeverie që ndikoi në liberalizimin e vizave. “Nuk do të kishte qenë e mundur të arrihej liberalizimi i vizave nëse Shqipëria nuk do të bindte çdokënd prej kancelarive të vendeve europiane, që Shqipëria di të bëjë zgjedhje të lira, të ndershme, zgjedhje që plotësojnë standardet e OSBE-së. Ne ia arritëm këtë me 28 qershor dhe do të donim që edhe në këtë pikë të kishim pasur kontributin e Partisë Socialiste. Do të donim që kryetari i tyre të ishte përmbajtur deklaratave që bëri ditën e parë pas zgjedhjeve, kur tha që këto janë zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri, dhe kur doli rezultati, dhe pa veten humbës, ktheu drejtim dhe tha, të hapen “kutitë e lepurit”, përfundoi Olldashi. Duke lënë porosinë që të gjithë ne duhet të respektojmë në mënyrë rigoroze afatin e qëndrimit prej 90 ditësh në 180 ditë, pra në çdo 6 muaj çdonjëri prej nesh është i lirë të qëndrojë 90 ditë në hapësirën Shengen.