Kandidatët Dritan Prifti së bashku me kandidaten Anxhelina Kola janë takuar me banorët e fshatit Arapaj në komunën e Strumit. Gjatë këtij takimi Prifti dhe Kola kanë pohuar se përmes votës së tyre ata do të bëhen pjesë e ndryshimeve të mëdha që kjo forcë politike ka të prezantuara në programin e saj qeverisës. “Epërsia e kësaj force nuk qëndron vetëm në programin e saj, por edhe tek kandidatët që ajo ka përzgjedhur për të qenë pjesë e garës konkurruese” u shpreh Prifti. Prifti ka shtuar se “në përzgjedhjen e kandidaturave nga forca e LSI është bërë kujdes që ata të jenë sa më të përgatitur nga ana profesionale. Të jenë njerëz që dinë ta mbajnë fjalën e dhënë dhe të kenë kurajën që edhe në vijimësi të jenë pjesë e këtij komunitetit. Pa mbetur në kuadrin e të gëzuarit të kolltukut që iu jep emri deputet”. Ndërsa kandidatja Anxhelina Kola duke vlerësuar situatën e rëndë në të cilën jeton edhe komuniteti i Arapajt në komunën e Strumit ka kërkuar që përmes votës së tyre të shënojnë ndryshimin që kërkojnë të gjithë. “Nëse do të isha një kandidaturë p.sh, e ardhur nga Gjirokastra padyshim që nuk dija nga ta kapja situatën. Por si bijë e kësaj zone lindur dhe rritur mes jush, për katër vite deputete në parlament kam qënë zëri juaj. Edhe pse në opozitë kam ngritur me forcë një sërë problemesh dhe besoj se me ardhjen në pushtet të së majtës problemet dhe shqetësimet tona do të futen në rrugën e zgjidhjes” u shpreh Kola.