Fier – Lohan viziton ish uzinën e Azotikut

Ndalesën e parë Lohan e pati në qytetin e Fierit. Ai vizitoi sot paradite ish uzinën e Azotikut, ku me fondet grant të KE-së, me vlerë 1,54 milionë euro u bë e mundur groposja e arsenikut, që gjëndej në të. Ambasadori i KE-së, Lohan vlerësoi punën e bërë për izolimin e lëndës helmuese të 1100 tonë arsenik, në një “varrezë”, me sipërfaqe prej 15000 metra katrore, me thellësi 2.5 metra. Duke përgëzuar autoritetet lokale për punën e bërë, Ambasadori Lohan tha se “do të ketë edhe të tjera projekte në ndihmë të komuniteteve edhe në fusha të tjera jetësore, me mbështetjen edhe të komunitetit dhe Qeverisjes Vendore”. Prefekti Shahin Dedaj pasi falenderoi për ndihmën e çmuar që KE dha për groposjen e arsenikut, një lëndë më rrezikshmëri të lartë, e informoi Ambasadorin Lohan edhe për rrezikun që mbart industria e prapambetur e sektorit të naftës për mjedisin. Gjatë vizitës së tij në Fier, Lohan vizitoi edhe komunitetin rom që jeton në fshatin Baltez.

Advertisement