Kutitë u bënë objekt për tensionimin e situatës pranë kësaj KZAZ, gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Komisionerët e Partisë Demokratike pretendonin se 3 kutitë kishin probleme teknike dhe ishin të papranueshme për një proces normal. Ky fakt irritoi kandidatët dhe përfaqësuesit e PS-së në këtë proces, të cilët e kontestuan këtë vendim dhe kërkuan rinumërim të kutive dhe vlerësim të rezultateve. Simpatizantë të PS-së dhe kandidatë e përfaqësues të saj ishin mbledhur pranë KZAZ dhe nuk lejonin transportimin në KQZ me frikën se do mund të kishte manipulime nga ana e qeverisë. Komisioni Qendror Zgjedhor u detyrua të mblidhet urgjentisht në orën 01.00 të mëngjesit të sotëm për të gjetur një zgjidhje për situatën. Me shumicë votash, anëtarët e propozuar nga PD në këtë institucion vendosën që fletët e votimit të tre kutive të komunës Libofsh të trasnportoheshin drejt KQZ-së për t’u numëruar, nën shoqërimin e forcave të policisë së shtetit. Në një reagim të menjëhershëm të asaj ore deputeti socialist, Gramoz Ruçi kundërshtonte vendim. Në një prononcim të vonë për mediat, paralajmëroi se “policia do të duhet të kalojë mbi trupat tona sepse ne kutitë nuk do lejojmë që të shkojnë drejt Tiranës”. Por në orën 3 të mëngjesit, pas ndërhyrjes së ndërkombëtare, u vendos që kutitë e votimit të niseshin drejt kryeqytetit. Lajmi i transportimit te kutive u konfirmua dhe nga kandidati i PS per deputet Sajmir Tahiri. Dy partitë e mëdha PD dhe PS kanë varur shpresat për të fituar të drejtën e formimit të qeverisë së ardhshme në tre kutitë e votimit të komunës Libofsh në KZAZ-në nr.20. Të dhënat paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nxjerrin në raport të barabartë 70-70 të majtën dhe të djathtën. Ndaj edhe votat e kësaj KZAZ-je janë vendimtare për palët respektive. Pa llogaritur këto kuti votimi, raportet e mandateve në Qarkun e Fierit në bazë të votave që janë numëruar deri tani nxjerrin fitues PS-në me 9 deputetë, PD-në me 6 dhe LSI-në me një deputet.