Fier – Gjendet një person i pa jetë, dyshohet se është biznesmeni i zhdukur Abazaj

Një kalimtar i rastit ka parë skenën e frikshme dhe më tej ka lajmëruar policinë e cila me shpejtësi ka shkuar në vendngjarje dhe ka transportuar viktimën për në morgun e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës për ekzaminimet përkatëse. Sipas burimeve policore nga vendgjarja mësohet se viktima ka shenja dhune ne fytyre dhe shenja djegieje në të gjithë trupin dhe për këtë arsye është shumë i vështirë identifikimi i tij. Megjithatë burimet policore në vendngjarje thonë se nga hetimet e para të kryera, dyshohet që trupi të jetë i biznesmenit 39-vjeçar Genci Abazaj, i zhdukur prej tre ditësh, i cili mendohet të jetë sjellë nga persona ende të panjohur në Darzezë dhe atje t’i jetë vënë flaka pranë rrugës dytësore që të çon në Levan. Një ditë më parë, familja e 39-vjeçarit Genc Abazaj në Vlorë, kërkoi ndihmën e medias dhe të policisë për gjetjen e njeriut të afërt të tyre. Sipas familjarëve, të premten e kaluar 39-vjeçari ishte nisur për në Elbasan por pas disa orësh asnjë kontakt nuk ishte më i mundur me të pasi dhe celulari ishte i fikur. I ndarë nga e shoqja me të cilën kishte dy fëmijë, Genc Abazaj jetonte në Itali, ku edhe kishte një firmë ndërtimi. Para pak kohësh ai kishte ardhur në Vlorë për pushime duke qëndruar pranë të afërmve të tij dhe kishte marrë me vete edhe vajzën 9 vjeçe. Vëllai i tij Albert Abazaj tregoi dje për mediat se ditën e premte Genci ishte nisur nga Uji i Ftohtë, ku ka shtëpinë në Vlorë dhe pas kësaj nuk ka pasur më lajme për të dhe as për personat me të cilët ka qenë ai. “Fakti që Genci ka lënë makinën të parkuar para pallatit, si dhe nuk ka marrë me vete asnjë dokument, apo telefonat me numrat e Italisë, ka shtuar dyshimet tona”, ka pohuar vëllai i të zhdukurit. Në këto kushte, familjarët kanë bërë denoncimin në polici duke dyshuar shumë për rrëmbimin në mister, të Genci Abazajt.

Advertisement