Festa në fundjavë? Rikthehet e hëna pushim

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi shpalli sot vendimin e Këshillit të Ministrave për të rikthyer të hënën ditë pushimi në rastet kur festat zyrtare bien në ditët e pushimit javor, duke shfuqizuar kësisoj VKM nr.54, datë 03.02.2010.Vendimi vjen jo vetëm në respekt të Kodit të Punës i cili ua njeh këtë të drejtë punonjësve, por edhe në respekt të ndjeshmërive të komuniteteve fetare dhe qytetarëve që u përkasin besimeve të ndryshme fetare.
“Ky vendim vjen gjithashtu në respekt të ndjeshmërisë së komuniteteve fetare, pasi ka festa kombëtare që u përkasin besimeve fetare. Kështu, duke filluar nga e hëna që vjen, e cila është e hëna pas Pashkëve katolike dhe përfitoj nga ky rast për t’i uruar gëzuar Pashkët besimtarëve katolikë, dita e hënë do të jetë ditë pushimi, si edhe çdo e hënë tjetër që vjen pas ditës kombëtare të pushimit, kur ajo bie në fundjavë. Kthimi i ditës së hënë pushim është gjithashtu një stimul i rëndësishëm për turizmin e brendshëm. Sikundër e ritheksoj, respektohet Kodi i Punës, i cili e ka pasur të fiksuar ditën e hënë pushim, kur festa kombëtare bie në fundjavë.”, ka thënë zv/kryeministri.
Zëvendëskryeministri njoftoi po ashtu se Qeveria Shqiptare po punon për një projekt i cili do të mundësojë dhënien e bonuseve dhe incentivave të tjera financiare për ata punonjës që kanë arritje të spikatura në punën e tyre apo që kryejnë punë të cilat për arsye të kushteve të vështira apo vendndodhjes janë aktualisht pak tërheqëse për punonjësit e kualifikuar.

Advertisement