“Ferma VIP” ka zbuluar se kush do të jenë opinionistët e sezonit të tretë.
Armina Mevlani, Einxhel Shkira dhe Ermal Mamaqi do të komentojnë ndodhitë, dinamikat dhe të gjithë situatat që do të krijohen në këtë format.
Në fakt, Armina ka qenë në rolin e opinionistes herë pas here edhe në sezonet e tjera, ndërsa Ermali është një prurje e re, që pritet t’i japë karizëm dhe humor spektaklit, teksa rikthehet në televizion pas disa vitesh shkëputjeje.
Po ashtu, me kuriozitet pritet edhe rikthimi i Einxhel Shkirës në ekran, sidomos në këtë rol.
Sezoni i ri shënon gjithashtu rikthimin në ekranin tradicional të moderatores Arbana Osmani, e cila do të drejtojë programin, teksa përmes postimeve në rrjete sociale ka lënë të kuptohet se është kujdesur për ecurinë e të gjitha parapërgatitjeve. Ky rikthim pritet me kuriozitet, pasi është hera e parë që ajo shfaqet në një logo ndryshe nga ajo e Top Channel dhe në një program konkurrent me “Big Brother VIP”, të cilin e ka moderuar për shumë edicione.
Në produksionin e këtij edicioni është përfshirë edhe regjisori Eduart Grishaj, bashkëshorti i Arbanës, i cili do të ketë rolin e regjisorit të programit.
“Ferma VIP” është një format reality që vendos personazhe të njohur përballë një mënyre jetese ndryshe nga ajo me të cilën janë mësuar. Pjesëmarrësit duhet të lënë përkohësisht jetën e tyre të përditshme dhe të përballen me punët e fermës, jetesën në natyrë dhe sfidat e izolimit nga bota e jashtme.
Ambienti rural dhe sfidat që lidhen me jetën në fshat pritet të jenë sërish në qendër të formatit, ndërsa ende nuk janë bërë publikë emrat e personazheve që do të marrin pjesë në këtë sezon të tretë.


