Escobar takon Xhaçkën dhe Metën. SHBA do të monitorojë zgjedhjet lokale të 14 Majit!

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vijuar ditën e dytë të takimeve.

Në takimin me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u vlerësua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA-ve si dhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Advertisement

Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen ndaj Gabriel Escobar për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe rajonit tonë. Një takim ka zhvilluar zoti Escobar edhe me kreun e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj shoqërohej nga deputetët Gazmend Bardhi Kreshnik Collaku dhe Orjola Pampuri. Ndërkohë Escobar ka takuar edhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta bashkëdrejtues i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë, Escobar e kishte evituar një takim me zotin Meta përpara se ai të mbaronte mandatin si President i Republikës. Ndër temat në diskutim në takimet me Metën dhe Alibeajn ishte situata politike në vend si dhe zgjedhjet e 14 Majit ku SHBA do të dërgojë vëzhgues dhe kërkon nga partitë politike të paraqesin kandidatë pa të kaluar kriminale.

Një ditë më parë zëvendës ndihmës sekretari amerikan takoi Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama ndërsa nuk është planifikuar një takim me liderin demokrat Sali Berisha.