Enca: ‘Jam e para në renditjet në Zvicër’, por media zvicerane nuk shkruan kështu!

'Asnjë artist i vetëm nga Ballkani nuk figuron në renditjet e Spotify'

Enca Haxhia ka shpërndarë në Instagram-in e saj një foto nga gazeta zvicerane ’20 minuten’, ku shfaqet fotoja e saj. ‘Muzika e preferuar në Zvicër është ajo Ballkanike’ është titulli i artikullit. Enca shkruan: ‘Ja me çfarë zgjohem […] Ia dola të jem e para në renditjet e muzikës në Zvicër’. Por ajo çfarë shkruhet në artikull nuk thotë pikërisht këtë.

’20 minuten’ shpjegon se këngët shqiptare, me ‘Bow Down’ të Encës dhe Noizy-t në krye, mund të jenë vërtet më të klikuarat në Youtube nga Zvicra, por nuk figurojnë fare në renditjet zyrtare, si përshembull ajo e Spotify. Këtë media zvicerane e shpjegon me atë që shumica e dëgjuesve të këngëve shqiptare janë emigrantët shqiptarë.

Advertisement

Në 10 këngët më të klikuara në Youtube për Zvicrën përfshihen shumë këngë shqiptare: ‘Bow Down’ me mbi 15 milionë klikime gjithsej, ‘Ajo’ e Majk dhe Getty-t me mbi 11 milionë, apo ‘Bongo’ e Dhurata Dorës me Capital T, me mbi 7 milionë. Megjithatë, siç shkruan ’20 minuten’:

‘Çuditërisht, në renditjen e Spotify- e cila gjithashtu bazohet tek klikimet dhe shpërndarjes në media- është një panoramë krejt tjetër dhe jo vetëm për top 10-shen, por në krejt top 50-shen nuk gjen një artist të vetëm nga Ballkani’.

Në artikullin e ’20 minuten’ nënvizohet se në të vërtetë këngëtarët shqiptarë e ballkanas nuk klikohen në Youtube nga zviceranët, por nga emigrantët ballkanas që jetojnë në Zvicër. Përveç kësaj, shkruhet se këngët që vijnë nga Ballkani ngjajnë pothuajse njësoj:

‘Vetëm Elvana Gjata me ritmet e saj të house-it apo ritmet orientale të Gold Ag tingëllojnë ndryshe, ndërsa këngët e tjera kanë praktikisht të njëjtin ritëm dhe janë pothuajse gjithmonë bashkëpunime, ku një zë i dytë këndon apo repon’