Ellen thyen heshtjen pas akuzave të rënda të stafit

Pas akuzave dhe ankesave të shumta për kushtet e punës, Ellen DeGeneres i është drejtuar stafit të emisionit. Përmes një letre të siguruar nga E! News, Ellen shprehet e zhgënjyer nga gjithë çfarë ka lexuar për stafin e saj.

“Në ditën e parë të shfaqjes, u kam thënë të gjithëve në takimin e parë që The Ellen Degeners Show do të ishte një vend i lumturisë – askush nuk do të ngrinte zërin dhe të gjithë do të trajtoheshin me respekt. Natyrsisht, diçka ndryshoi dhe unë jam e zhgënjyer teksa mësoj se nuk ka qenë gjithnjë kështu.”

Ellen shkruan gjithashtu: “Për këtë, më vjen keq. Kushdo që më njeh e di që është e kundërta e asaj që unë besoja dhe shpresoja për shfaqjen tonë”. DeGeneres pranon se suksesi i saj – i cili përfshin 30 çmime Emmy, 20 People’s Choice Awards, nuk do të ishte i mundur pa kontributin e stafit. Ajo thekson në letër se emri i saj është në shfaqje dhe merr përgjegjësi për këtë që ka ndodhur.

Advertisement

Ellen deklaron se ajo dhe Warner Bros. po punojnë së bashku për të përcaktuar hapat e ardhshëm dhe për të korrigjuar gabimet përmes një hetimi të brendshëm.

Më parë, u tha se në fakt, të akuzuarit për keqtrajtim të punonjësve ishin producentët ekzekutivë Ed Glavin, Mary Connelly dhe Andy Lassner dhe jo Ellen personalisht. Në letër, DeGeneres shkroi se “njerëzit që punojnë me mua dhe për mua, flasin në emrin tim dhe keqpërfaqësojnë atë çfarë jam”. “Kjo duhet të ndalet,” shton më pas.

“Si dikush që u gjykua dhe pothuajse humbi gjithçka për të qenë vetvetja,  me të vërtetë e kuptoj dhe ndihem keq për këdo që shihet ndryshe ose trajtohet padrejtësisht, në mënyrë jo të barabartë. Të menduarit që ju jeni trajtuar në këtë mënyrë është e tmerrshme për mua.”

Në një prononcim për E! News, Warner Bros. konfirmoi angazhimin e tyre për të adresuar akuzat dhe për të hetuar çështjen.

Burimi: ANABEL