Është mbledhur sot në Elbasan konferenca e jashtëzakonshme e sindikatës së pavarur të drejtuesve të taksive 8+1, ku morën pjesë drejtues të taksive nga shumë rrethe të vendit, kreu i sindikatës së transporteve, Gëzim Kalaja dhe kreu i degës së PD-së në Elbasan, Luçano Boçi. Përfaqësues të sindikatës së drejtuesve te taksive 8+1 kërkuan anulimin e nenit që detyron kthimin bosh në vendin e origjinës, si dhe të luftohet konkurenca e pandershme. Ata kërkuan gjithashtu t’i jepet fund monopoleve në këtë sektor të transportit gjithnjë brenda kornizave ligjore. Ata u shprehën se nuk ka kthim pas në protestat e tyre. Kreu i degës së PD në Elbasan, Luçiano Boçi, u tha drejtuesve të taksive 8+ 1 se “beteja juaj do të përfundojë me fitore. Kam bindje për këtë, pasi kërkesat tuaja janë të drejta. Ju keni fituar mjaft beteja këto 20 vite. Këtu ka njerez me bindje të ndryshme politike, por në këtë moment na bashkon bindja për të mbajtur gjallë familjet. Në bindjen tonë është tregu i lirë dhe sakrifica e njerëzve të punës”, tha ai, duke sjellë në këtë konferencë edhe përshëndetjen e kreut të PD-se, Lulzim Basha.