Elbasan | Shpallet koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, prezantohet kandidati i LSI-së

alt

Në përbërjen e këtij koalicioni, i cili do të kandidojë bashkërisht në zgjedhjet e 8 Majit bëjnë pjesë, PD, LSI, PR, BK, BKD, PLL, PDIU. Gjatë shpalljes së kandidaturës së z. Hushi ishin të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, z. Meta, z. Imami, z. Spahia, z. Boçi, z. Idrizi, z. Turku, etj. Në fjalën e rastit Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta duke vlerësuar kandidaturën e z. Hushi për qytetin e Elbasanit, shprehu optimizmin jo vetëm të tijin, por siç tha, edhe të mazhorancës për fitoren e Bashkisë së qytetit të Elbasanit. Në këtë kontekst, z. Meta u shpreh se “z. Hushi si kryetar i ri i Bashkisë së Elbasanit do të integrojë vlerat më të mira të Elbasanit si dhe do i kthej dinjitetin e munguar këtij qyteti.” Sipas Metës, “Koalicioni Aleanca për Qytetarin” do të ketë në fokusin e vetë qytetarin dhe vetëm qytetarin sepse sipas tij, këto janë zgjedhje administrative dhe jo politike. Kjo do të thotë, u shpreh Meta, që këto zgjedhje kanë të bëjnë me problemet të ndryshme si me përmirësimin e infrastrukturës, ato që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve dhe të çdo qytetari, që kanë të bëjnë me ambientin, kanalizimet, administrimin e mbetjeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me hapësirat e gjelbra, me këndet për fëmijët sepse gjithmonë e më pak është menduar për to dhe probleme që kanë të bëjnë edhe me shumë probleme të tjera sociale të përditshme, pra kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. “Unë besoj se vizioni ynë nuk është vetëm për të zgjedhur përfaqësuesit më të mirë të komunitetit por mbi të gjitha për tu përgjigjur në këtë fushatë, problemeve dhe halleve që kanë sot qytetarët e Elbasanit”, u shpreh Meta. Më tej z. Meta ka deklaruar se bashkëqeverisja është zgjidhja e duhur që i duhet vendit dhe se fati i Elbasanit do të jetë në dorë të bashkëqeverisjes me aleatët e Aleancës për Qytetarin. Ndërkohë kandidati i LSI për Elbasanin z. Durim Hushi duke falënderuar përfaqësuesit e koalicionit për mbështetjen e tij në këtë kandidim, ka theksuar se motoja e tij gjatë fushatës ashtu sikurse quhet dhe koalicioni i mazhorancës do të jetë “me qytetarin dhe për qytetarin”.

Advertisement