Elbasan – Rama, nuk do lejojmë cënimin e votës

Rama deklaroi se mbrojta e votës do të jetë kusht themelor për socialistët. “Ne nuk duam që në asnjë mënyrë të preket ndonjë votë e kujtdo qoftë. Vota është e shenjtë dhe cdo qytetar ka të drejtën ta investoj votën e vet për kë dëshiron, por ama askujt të mos i shkoj mendja se mund të preki votën tonë”, theksoi Rama. Në Belsh Rama është ndalur gjerësisht në politikat e reja që ofron Partia Socialiste për punësimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit duke larguar, sic u shpreh ai skemat abuzive dhe korruptive të ndjekura nga kjo qeveri, e cila, sic tha Rama ka pasuruar një pakicë dhe ka varfëruar shumicën. Dhe këto janë arsyet themelore sipas shefit të socialistëve që shqiptarët ti thonë “JO” më votë Sali Berishës më 28 qershor. “Ne do të fitojmë sepse fshatrat tona nuk mund të thahen për ujë, fshatrat tona nuk mund të vazhdojnë të jetojnë në terrin e analfabetizmit, fshatrat tona nuk mund të vazhdojnë të jetojnë pa kujdes shëndetësor. Ne do të fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë, ne do të fitojmë sepse fëmijët e Shqipërisë nuk mund të humbasim, ne do të fitojmë sepse e shkuara nuk mund të bëhet e ardhme dhe e ardhmja nuk mund të bëhet e denjë në duart e politikës së shkuar”, theksoi kryesocialisti Rama. Pjesë e turit elektoral të Kryesocialistit ka qenë edhe një ndalesë e tij në stacionin hekurudhorë të Elbasanit. Duke e cilësuar të pafalshme këtë gjendje, Rama tha se ky është tregues i një prapambetje jo vetëm në Elbasan, por tregues i një gjendje mesjetare në të gjithë vendin. “Sali Berisha, ka shumë për ti shpjeguar popullit të gjithë Shqipërisë dhe popullit të Elbasanit për keqqeverisjen e këtyre 4 viteve skandale dhe abuzime që kanë humbur në një batak të pashoq korrupsioni. Berisha erdhi në Elbasan për të ripremtuar ripërtëritjen e këtij stacioni që duhet të ishte sot një pol zhvillimi ekonomik për qytetin, por në fakt është një kartolinë e prapambetjes”, tha Rama. Pas arsimit dhe shëndetësisë nga Elbasani Rama dha mesazhe të qarta edhe për sektorin e transportit hekurudhorë duke ofruar edhe zgjidhjet konkrete që programi i partisë që ai drejton parashikon për këtë sektor. “Së bashku me qytetarët e Elbasanit ne do ta kthejmë këtë qytet në një qytet me perspektivë të re si dhe në një qytet me një rrugë të re zhvillimi”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Advertisement