Ky festival ndërkombëtar që që zhvillohet çdo vit në Elbasan, do të nisë më 20 tetor në Teatrin “Skampa” me pjesëmarrjen e dymbëdhjetë trupave nga vendi dhe bota. Festivali është konceptuar me dy kategori: një panel zyrtar me veprat kryesore dhe një panel universitar. Adonis Filipi, regjisor dhe drejtor artistik i festivalit shpjegon se “Si ekzigjencë për të sjellë vlera, brenda sloganit “Universi i teatrit”, edhe trupat që vijnë këtë edicion janë në raport me këtë kërkesë tonën. Ky slogan përfshin një teatër të hapur karshi prurjeve bashkëkohore dhe mjeteve të reja shprehëse të cilat do të kemi fatin për t’i shijuar gjatë ditëve të festivalit”. Për herë të parë do të ketë 6 trupa të nivelit kombëtar. Hap festivalin Teatri i Dramës Shqipe të Shkupit me shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” me regji të Dino Mustafiç. Teatri i Nishit shfaq “Punë Dore” me regji të Biljana Vujovic-it. Dhe mbylljen e festivalit do ta ketë teatri “Skampa” me shfaqjen “Shtëpia me rrota” me regji dhe dramaturgji nga Erand Sojli. Në panelin e dytë, atij universitar, janë grupuar: teatri rumun me shfaqjen “Valah” me regji të Lui Emil Gaju; Teatri Laborator i Shën Peterburgut, Teatri Suzirya i Ukrahinës, për të vazhduar me dy trupa nga Fieri dhe Durrësi. Festivali sjell edhe dy diskutime me temë “Për teatrin sot” nga Knu Geissler, që vjen nga Teatri i Lajpcigut dhe “Dramaturgjia e re shqiptare” nga Stefan Çapaliku.