Elbasan | Meta: do të realizojmë projektet për punësim dhë mirëqënie

Tuesday, December 16, 2025

Kreu i LSI-së shprehu bindjen se autostrada dhe tuneli Tiranë-Elbasan do t’i japin një ritëm tjetër qytetit të Elbasanit, dhe mirëqënies për qytetarët e Elbasanit. Meta i bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit se me fitoren e Durim Hushit në Elbasan, dhe fitoren e padiskutueshme të Lulzim Bashës në Tiranë brenda 18 muajsh me përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan, qyteti i Elbasanit do të jetë një nga qendrat më të zhvilluara jo të Shqipërisë por të të gjithë rajonit. “Jam i bindur se me vizionin e tyre dhe me votën që do të marrin në datën 8 Maj do ti realizojmë të gjitha ato projekte ku kryefjala është punësimi, ku kryefjala është mirëqenia”, u shpreh kreu i LSI-së. Meta shprehu besimin se qytetarët elbasanas do të votojnë në 8 Maj Durim Hushin, duke iu larguar një herë e përgjithmonë drejtimit të prapambetur që Elbasani po jeton. “Jam i sigurt se Durim Hushi ka të gjithë personalitetin e duhur, ka formimin profesional, është një njeri që ka treguar se di të ngrihet mbi interesat e ngushta edhe të forcave politike, është një njeri që di të shikojë drejt së ardhmes me guxim dhe me kurajë dhe Elbasani ka nevojë për këtë kryetar Bashkie”, u shpreh kreu i LSI-së për kandidatin për kryebashkiak të Elbasanit Durim Hushi. Sipas Metës, Elbasani ka nevojë për një Kryetar Bashkie me projekte të qarta dhe Durim Hushi i ka të gjitha projektet për ta çuar Elbasanin përpara, dhe jo për një kandidat për Kryetar Bashkie si Qazim Sejdini, që në emër të rrugës së vetme kërkon votën e qytetarëve të Elbasanit. Kreu i LSI-së theksoi se kandidati i rrugës së vetme, dhe kandidatët e rrugës së vetme, kërkojnë votat e qytetarëve në mënyrë që të bëjnë sherre politike me qeverinë. Ashtu sikurse jam i sigurt se përveç këtyre aspekteve Durim Hushi e ka shumë të qartë se Elbasani ka nevojë tu tregojë të gjithëve se është jo vetëm një qytet i traditave dhe arsimit e kulturës, pro është një qytet i gatshëm për të demonstruar këto tradita dhe këto talente të reja që i ka sot dhe për të cilat nuk kujdeset askush. Duke folur për arritjet e qeverisë së koalicionit të integrimit, me liberalizimin e vizave fituan jo vetëm anëtarë dhe simpatizantë e partive të koalicionit qeverisës, por fituan dhe anëtarë e simpatizantë të partisë socialiste, madje dhe qytetarë elbasanas që u bënë pjesë e grevës së urisë së thirrur nga opozita për pengimin e lëvizjes së lirë. Andaj në tri ditët e fundit të fushatës elektorale shefi i LSI-së Ilir Meta i ftoi qytetarët e Elbasanit që ta vijojnë deri në fund e ta përmbyllin në mënyrë të kulturuar dhe demokratike. “Fitore dhe vetëm fitore në 8 Maj. Le të mblidhemi në 9 Maj për të festuar fitoren e shkëlqyer të Durim Hushit në Elbasan dhe të Lulzim Bashës në Tiranë”, përmbylli fjalën e tij në mitingun elektoral në Elbasan kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

 
RELATED ARTICLES
- Advertisment -