Task Force Kombëtare për kontrollin e mishit mbylli 8 dyqane të tregtimit të këtij produkti në Elbasan. Në kuadër të Task Force Kombëtare, në Qarkun e Elbasanit nisi kontrolli i të gjitha pikave të therjes së bagëtive dhe në dyqanet e mishit, bëhet e ditur nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit. Po ashtu, sipas AKU, nga aksioni i ditës së hënë u sekuestruan edhe 20 kilogram sallam dhe 57 kilogram qofte, të cilat ishin bërë gati për tregtim pa dokumentet e origjinës, pa etiketë dhe fletën shoqëruese të analizave. Inspektorët e AKU-së vendosën dhe gjoba në 2 subjekte, me vlerë 50 dhe 100 mijë lekë. “Dyqanet e tregtimit të mishit, të cilat u bllokuan nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare, si dhe kishin mungesa të tjera, siç është ajo e dhomave frigoriferike apo edhe problem me dokumentacionin”, sqaron AKU në njoftimin për shtyp. Drejtori i Menaxhimit të Rriskut në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU, Florjan Pullazi, tha se nuk do të tolerohet asnjë subjekt që shkel rregullat dhe nuk plotëson kushtet. “Aksioni i Task Force dhe AKU-së do të vazhdojë pa ndalim, në të gjitha qarqet e vendit. Asnjë subjekt nuk do të tolerohet, ndërsa kontrollet dhe inspektimet do të jenë të rrepta e sistematike”, tha Pullazi, sipas të cilit, aksioni është ndërmarrë për të qenë sa më të sigurt në atë që konsumatori blen, me qëllim që siguria ushqimore të jetë në kushtet maksimale. Drejtori i AKU-së së Elbasanit, Zenun Bullari, tha se do të merren masa për tregtarët ambulantë që tregtojnë mishin në mënyre të paligjshme.