Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë një takimi elektoral në Komunën Tregan të Elbasanit, deklaroi se me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, prodhimet e Komunave Shushicë, Shirgjan, Tregan, Gjinar, Zavalinë do të dalin më shpejt në treg. Berisha bëri me dije se së shpejti përfundon edhe autostrada Tiranë-Elbasan, një nga projektet më të rëndësishme gjatë mandatit 4 vjecar të qeverisë, e cila do të shkurtojë lidhjen e këtyre zonave me kryeqytetin me rreth 1 orë. “Vitet që lamë pas nuk kanë qenë vite të lehta, por së bashku ia dolëm të sjellim Elbasanin dhe Shqipërinë në orën e zhvillimit, në stadin përfundimtar të zhvillimit. 4 vitet që vijnë janë vitet vendimtare. Ne ja dolëm të sjellim vendin qarkun në orën e zhvillimit, sepse ndërtuam dhjetëra kilometra rrugë në këto Komuna. Këto vite në qarkun e Elbasanit kemi ndërtuar rreth 510 km rrugë dhe së shpejti përfundojmë rrugën më të rëndësishme të këtij 4 vjecari, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradën që bashkon Tiranën me Elbasanin, që ju ofron ju potenciale të mëdha të tregut të Tiranës, ju ofron me Tiranën pothuajse 1 orë. Rruga është zhvillim dhe ne po ndërtojmë rrugë në 4 anët e qarkut, të përfundojmë rrugën Librazhd-Peshkopi, do përfundojmë rrugën Qukës-Qafë Plloç, boshtin e jugut, By Passin e Elbasanit, rrugën Banjë-Elbasan që shkurton distancën 10 km të Gramshit me Elbasanin. Do ndërtojmë rrugë që prodhimet e juaja të dalin sa më shpejt në treg, por dhe që pasuritë turistike tuaja të bëhen potencial për të gjithë shqiptarët dhe turistët nga mbarë Evropa”, u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë, nënvizoi se këto vite bashkë me shqiptarët ia doli që të anëtarësojë Shqipërinë në NATO, të liberalizonte vizat, të firmoste marrëveshjen e stabilizim associmit, si dhe të miratojë statusin e vendit kandidat për në BE, teksa nuk kurseu akuzat ndaj kreut të PS-së, për bllokim. “Alternativa tjetër është alternativa, e cila kur ne anëtarësoheshim në NATO organizonte protesta kundër, kur do firmosim marrëveshjen e asociimit fuste zile dhe këmbore në Parlament, kur do firmoste vizat organizonte protestat hap kutitë, kur ne merituam rekomandimin e statusit morri peng ligjet e Parlamentit. Ju ftoj me 23 qershor ta lemë shokun në kuti në autobusin mavi. Tani dhe timon ia ka marrë Koço nuk ia lëshon më. Ti themi dhe një herë, shplodhu o shoku Rama se ne do vijojmë të lodhemi për mirëqenien, për bizneset dhe fermat. Për edukimin e fëmijëve tanë, për rrogë, pensione, rruge, për të ecur para ne integrimin në Evropë, ti vazhdo shplodhu, fle gjumë ne do fitojmë”, theksoi Berisha.