“Më 28 qershor, të ftojmë sëbashku, të gjithë qytetarët e Elbasanit, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të bashkohemi, të bashkohemi me njëri-tjetrin, së bashku të votojmë për ëndrrën europiane. Vetëm në qarkun tuaj nis ndërtimi i 20 hidrocentraleve, ndër të cilat gjigandi i Europës, kaskada e Devollit, që të gjitha sëbashku janë investim prej 1.6 miliard euro. Elbasani do ketë një nga parqet më dinamike industriale. Fjala ime e nderit është se 80 përqind të vlerës tërësore të legalizimit do ta paguani me letra me vlerë. Për Shqipërinë, për kombin, qyteti juaj ka qenë djepi i dijes dhe arsimit” theksoi kryeministri Berisha. Rrugëtimi i demokratëve ka vijuar në zonën e Lapardhasë ku sërish kryeministri Berisha ka premtuar vijimin e reformave, zhvillimin e infrastrukturës dhe punësimin e banorëve të zonës. “Do të barazojmë pensionet tuaja me qytetin, sepse 4 vitet që vijnë qeveria ime do të financojë cdo projekt tuajin për rritjen e prodhimit” tha Berisha. Inaugurimi i rrugës hyrëse në qytetin e Beratit sipas kreut të selisë blu është një prej premtimeve të mbajtura për këtë zonë. Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e beratasve për të vijuar projektet edhe për 4 vitet e ardhshme. “Një thirrje vëllazërore për të gjithë qytetarët e Beratit, bashkohuni më 28 qershor dhe të votojmë të gjithë 10-rën. 10-ta ëshë Berati, është Shqipëria blu, është Partia Demokratike, është Europa blu që mezi na pret dhe që në vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizim pa viza në të gjithë hapësirën e saj të pafundme”- tha Berisha.