Elbasan – Arrestohet i dyshuari për vrasjen e Kosenit

Gjykata e Rrethit të Elbasanit dha masën e sigurisë me burg për Shkëlzen Shkrepin 30 vjeç me banim në lagjen “Haxhias” në këtë qytet pasi është një nga të ndaluarit e dyshuar si pjesëmarrës në ngjarjen që i mori jetën 42-vjeçarit Roland Rexhepi. Si provë materiale policia tha se ka bllokuar një fije floku e gjetur mes materialeve të sekuestruara ditën e ngjarjes. Pas ngjarjes, policia ndaloi mjaft të dyshuar dhe mes tyre edhe Shkëlzen Shkrepin nga lagja “Haxhias” në Elbasan. Sipas 30-vjeçarit, familjarëve të tij dhe avokatit mbrojtës ndalimi është i padrejtë. Ata kanë mohuar në mënyrë kategorike pjesëmarrjen e të riut në këtë vrasje dhe theksojnë se në valën e ndalimeve që policia kreu për gjetjen e autorëve të krimit, ndaloi edhe shumë të rinj që njihen si përdorues lëndësh narkotike. Pavarësisht deklarimeve të familjarëve dhe palës mbrojtëse, trupi gjykues dha masën e sigurisë së arrestit me burg për Shkëlzen Shkrepin i cili tashmë duhet të presë provat e ADN-së për të vërtetuar pafajësinë e tij. Familjarët pohuan në gjykatë, se janë për vendosjen e drejtësisë dhe gjetjen e autorëve por theksuan se deri në zbardhjen e së vërtetës, ky veprim fut në keqkuptime dhe konflikt dy familje.

Advertisement