Drejtësia egjiptiane urdhëroi lirimin me kusht të ish-presidentit Hosni Mubarak, i akuzuar për vdekjen e qindra manifestuesve, por ai mbetet në paraburgim në kuadër të disa akuzave të tjera, njoftoi televizioni shtetëror. “Gjykata e Apelit liroi Mubarakun nga akuza për vrasjen e manifestuesve dhe ai mbahet ende i ndaluar në paraburgim në kuadër të akuzave të tjera”, konfirmoi stacioni televiziv ”Nile News”. Avokati i ish-presidentit, i ndaluar që prej muajit prill 2011, kishte kërkuar lirimin e tij, me motivin se klienti i tij kishte kaluar periudhën maksimale të ndalimit në paraburgim, që është dy vjet, sipas medias lokale.